Hapja zyrtare e aksionit të 24 majit, si çdo vit bëhet në Prishtinë, në deponinë ilegale të mbeturinave, e cila ndodhet afër varrezave në lagjen “Arbëria”. Në hapje të këtij aksioni, do të marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve, siç janë: shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, z. Jan Braathu, ministri në largim i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant z. Rrahman Rama. Po ashtu, në hapje të këtij aksioni e ftuar është edhe përfaqësuesja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Zj. Nataliya Apostolova. Në hapje të aksionit do të marrin pjesë afër 500 vullnetarë.
Let’s Do It Kosova falënderon komunat e Kosovës për bashkëpunimin e tyre dhe ndihmën e dhënë për organizimin e aksioneve të 24 Majit, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Meridian Corporation, Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), KFOR, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, UNDP, misionin e OSBE-së në Kosovë, Agjensionin “Dita”, Kompaninë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), ndërmarrjet publike të pastrimit, Kompaninë “KAWA Group”, Kompaninë “Vala”si dhe mediat për mbështetjen e vazhdueshme.
Let’s Do It Kosova u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të bëhen pjesë e aksioneve të 24 majit dhe të japin kontributin e tyre për të përmirësuar imazhin e mjedisit në vendin tonë. Po ashtu, LDIK njofton qytetarët se kontributi i tyre do të shpërblehet dhe kjo në mënyrë fare të thjeshtë. Mjafton vetëm të publikoni një fotografi nga aksioni i pastrimit ku po merrni pjesë, shoqëruar me ndonjërin nga hashtag’et #TapastrojmeKosoven apo #LetsdoitKosova. Po ashtu, mos harroni që fotografinë tuaj ta lëni public, në mënyrë që ne të mund të kemi qasje. Let’s Do It Kosova ju njofton se fotografia e cila do të përzgjedhet si më e mirë, do të shpërblehet me një Go Pro.transmeton rtk.