Mësimdhënësit edhe sot në grevë

Mësimdhënësit edhe sot në grevë

As thirrja e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, nuk i ka bindur mësimdhënësit kosovarë që të ndërpresin grevën e nisur të mërkurën.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë për Kohën Ditore se greva do të vazhdojë edhe të enjten dhe do të zgjasë deri atëherë kur mësimdhënësit do të kenë dëshmi konkrete se bashkë me pagën e prillit është dhënë edhe shtesa prej 0,5% e stazhit.

Jasharaj ka theksuar se grevat e tyre më nuk do të ndalen vetëm me deklarata.

Rikujtojmë se Qeveria e Kosovës ka diskutuar për këtë çështje në mbledhjen e saj të së mërkurës, në të cilën kryeministri Mustafa ka ftuar mësimdhënësit që të mos mbajnë grevë, sepse, sipas tij, nuk ka arsye për këtë, meqë Qeveria po e zbaton vendimin për pagesën e 0,5% të përvojës së punës.

Kreu i Ekzekutivit ka thënë në mbledhjen e Qeverisë se për arsimin është bërë më shumë se për cilindo sektor tjetër, që paguhet me para të buxhetit. Ai u ka bërë thirrje arsimtarëve dhe SBASHK-ut që të ndalin grevën, duke thënë se askush nuk ka të drejtë të paguhet nga shteti dhe të mos e mbajë mësimin, sepse shkollat janë për t’i mësuar fëmijët, e jo për të marrë paga pa punuar.(KosovaLive360).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*