Gjashtë veta konkurrojnë për drejtor të Teatrit Kombëtar

Gjashtë veta konkurrojnë për drejtor të Teatrit Kombëtar

Një javë pasi Ministria e Kulturës ia kishte “zgjatur jetën” konkursit për drejtor të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar, numri i konkurrentëve ka shkuar në gjashtë. Konkursi është mbyllur në orën 16:00, ndërkaq, Këshilli Drejtues tash do ta zgjedh drejtorin e ri

Gjashtë persona kanë konkurruar në konkursin e Ministrisë së Kulturës për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Katër prej tyre kanë konkurruar gjatë javës së fundit, ngase, para një jave kishin konkurruar vetëm dy veta, gjë që obligoi zyrtarët e Ministrisë së Kulturës që ta zgjasin afatin e konkurrimit edhe për një javë.

Gjatë një prononcimi të shkurtë për Kultplus, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Veton Firizi, ka bërë të ditur se konkursi është mbyllur në orën gjashtëmbëdhjetë dhe se tash së shpejti do të zgjidhet drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës. “Kanë konkurruar gjashtë veta, tash procesi kalon tek Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar. Ata do të merren me procedurat e mëtutjeshme”, ka thënë shkurt ai. .

Sekretari Firizi nuk ka pranuar të tregoj se kush janë personat që kanë konkurruar, ndërkaq, është shprehur i bindur se shpejti do të zgjidhet drejtori i institucionit në fjalë.

Ndryshe nga kjo Tetari Kombëtar i Kosovës është pa drejtor të përgjithshëm që nga fundi i shtatorit të vitit të kaluar, pasi drejtoresha e atëhershme, Elmaze Nura patë hequr dorë nga posti i kreut të këtij institucioni për tu përqendruar si ligjëruese në Universitetin e Prishtinës.

Teatri Kombëtar i Kosovës deri së voni ka qenë edhe pa Këshill Drejtues, përkatësisht, ky organ nuk ka qenë i kompletuar. Së fundi ky institucion është kompletuar me rreth gjysmën e anëtarëve, ndërkaq, pozitën e drejtorit të Përgjithshëm e ushtron Kamuran Goranci, i cili njëkohësisht është edhe drejtor për Kulturë në Ministrinë e Kulturës./KultPlus/.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*